Secondary Adv

Rrugët rurale, 8.4 mln euro për fshatrat e Lezhës, 9 njësitë ku do ndërhyhet

Bashkia e Lezhës ka hapur një procedurë prokurimi me vlerë rreth 8.4 milionë euro për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve rurale në territorin e saj, me synim përmirësimin e aksesit dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal.

Dy lote investimesh për njësitë administrative

Sipas dokumenteve zyrtare, fondi limit i këtij investimi është 848 milionë lekë. Ndërhyrjet do të realizohen përmes dy loteve. Loti i parë, me vlerë 357 milionë lekë ose rreth 3.6 milionë euro, përfshin njësitë Zejmen, Shëngjin dhe Kolsh. Ndërkohë, loti i dytë ka një fond limit prej 491 milionë lekësh, rreth 4.9 milionë euro, dhe parashikon investime në njësitë Kallmet, Blinisht, Dajç dhe Ungrej.

 

Qëllimi i investimit dhe ndikimi ekonomik

Bashkia e Lezhës thekson se investimi ka për qëllim përmirësimin e aksesit rrugor në zona që kanë potencial të identifikuar ekonomik. Fokus i veçantë i ndërhyrjeve do të jetë zhvillimi i turizmit, bujqësisë, vreshtarisë dhe agroturizmit, duke krijuar kushte më të mira për qarkullimin e produkteve bujqësore, rritjen e aktivitetit ekonomik dhe nxitjen e investimeve private.

 

Potenciali ekonomik i njësive përfituese

Sipas përshkrimeve të përfshira në dokumentacionin e prokurimit, njësitë që përfitojnë nga ky investim paraqesin profile të ndryshme zhvillimi. Shëngjini vlerësohet për potencialin e tij në turizëm dhe shërbime, ndërsa Shënkolli ka fokus bujqësinë dhe blegtorinë. Zejmeni shquhet për bujqësinë, pemëtarinë dhe vreshtarinë, ndërsa Kolshi për blegtorinë dhe agroturizmin.

 

Ungreji paraqet potencial në turizëm natyror dhe zhvillim rural, Balldra në bujqësi intensive, Kallmeti në vreshtari dhe agroturizëm, Dajçi në prodhim bujqësor dhe menaxhim ujor, ndërsa Blinishti në turizëm natyror dhe aktivitete rurale. Sipas Bashkisë, përmirësimi i infrastrukturës rrugore në këto zona pritet të jetë një shtysë e rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë lokale.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat